Kryebashkiakja në detyrë e Durrësit, Emiriana Sako, përmes një postimi në rrjete sociale, njofton qytetarët se në mbledhjen e ditës së mërkurë, qeveria shqiptare ka miratuar vendimin për rikonstruksionin e tre rrugëve në qytetin bregdetar.
Bëhet fjalë për rrugët “Azem Hajdari”, “Miqësia” dhe “Gjelbërimi” në zonën e re për zhvillim, zona 4, në Spitallë.
“Një lajm i mirë vjen për qytetarët e Durrësit. Qeveria shqiptare ka vendosur rikonstruksionin e tre rrugëve, “Azem Hajdari”, “Miqësia” dhe “Gjelbërimi” në zonën e re për zhvillim, zona 4.
Rikonstruksioni i këtyre akseve të rëndësishme në zonën e Spitallës është është mbajtja e premtimit që i kemi bërë banorëve të kësaj zone të cilët e kanë patur kërkesë kryesore shtrimin e këtyre rrugëve. Po kështu këto rrugë i shërbejnë edhe infrastrukturës së zonës së re për zhvillim”,– shkruan Sako.
Qeveria do të përdorë fondin 1 400 276 890 (një miliard e katërqind milionë e dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë) lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit të këtyre 3 rrugëve, ndërkohë që Fondi Shqiptar i Zhvillimit është njësia zbatuese për rikonstruksionin e këtyre 3 rrugëve.
Vendimi i qeverisë:
V E N D I M
PËR
PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RIKONSTRUKSIONIT TË RRUGËVE “MIQËSIA” DHE “AZEM HAJDARI – GJELBËRIMI”, TË NDODHURA BRENDA KONTURIT TË ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM, ZONA 4, NJËSIA ADMINISTRATIVE DURRËS, BASHKIA DURRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “i”, 16, dhe 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 7, të ligjit nr.137/2020, “Për buxhetin e vitit 2021”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 1 400 276 890 (një miliard e katërqind milionë e dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e nëntëdhjetë) lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit të rrugëve “Miqësia” dhe “Azem Hajdari – Gjelbërimi”, të ndodhura brenda konturit të zonës së re për zhvillim, zona 4, Njësia Administrative Durrës, Bashkia Durrës, të cilat shërbejnë si rrugë lidhëse me aksin kryesor të rrugës “Azem Hajdari”.
2. Fondit Shqiptar të Zhvillimit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, i transferohet fondi në masën 280 055 378 (dyqind e tetëdhjetë milionë e pesëdhjetë e pesë mijë e treqind e shtatëdhjetë e tetë) lekë pa TVSH, nga hapësira buxhetore e siguruar pas ngurtësimit në të njëjtën masë të fondeve të projekteve të rindërtimit me ecuri të ngadaltë, për financimin e rikonstruksionit të rrugëve “Miqësia” dhe “Azem Hajdari – Gjelbërimi”, të ndodhura brenda konturit të zonës së re për zhvillim, zona 4, Njësia Administrative Durrës, Bashkia Durrës, të cilat shërbejnë si rrugë lidhëse me aksin kryesor të rrugës “Azem Hajdari”.
3. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese për rikonstruksionin e rrugëve “Miqësia” dhe “Azem Hajdari – Gjelbërimi”, të ndodhura brenda konturit të zonës së re për zhvillim, zona 4, Njësia Administrative Durrës, Bashkia Durrës.
4. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.





