Polemikat mes Real Madridit dhe “France Football” nuk shuhen, pasi “Los Blancos” vendosën të braktisin ceremoninë e mbrëmshme në Paris, pasi u bë e ditur se Vinicius nuk do të ishte fituesi i Topit të Artë. 

Vincent Garcia, kryeredaktor i të përjavshmes franceze që organizon votimin, sqaroi situatën.

Para së gjithash, Garcia shpjegoi arsyen pse sulmuesi i Realit humbi duelin me Rodrin:

“Vinicius me siguri vuajti nga prania e Bellingham dhe Carvajal në ‘top 5’, sepse matematikisht kjo i mori disa pikë. Kjo përmbledh edhe sezonin e “Los Blancos”, të cilët sollën tre deri në katër lojtarë dhe anëtarët e jurisë i ndanë vendimet mes tyre, gjë që përfitoi spanjolli”, tha kryeredaktori i “France Football”, që më pas zbuloi disa histori të rëndësishme: 

“Kam marrë shumë presion nga Real Madridi, por, siç ndodh me klubet e tjera, kam qenë gjithmonë i qartë dhe i drejtë dhe ndoshta heshtja ime i ka çuar në kufi. Por ishte e njëjta gjë me të tjerët. Ne ishim shumë të qartë me të gjithë”, shtoi Garcia.