Një grup ekspertësh nga Çekia, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia kanë bashkëbiseduar sot në Durrës me disa nga administratorët e fermave-pilot, që janë ngritur në zona të ndryshme të vendit tonë me financimin e Fondit të Vishegradit.

Në kuadër  të projektit Akademia “Farm to Fork” – V4 për Bujqësinë e Qëndrueshme në Shqipëri, Lorena Totoni, përfaqësuese e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD) tha se grupi i ekspertëve ka vizituar këto ditë një fermë në Fier, ku po implementohen pajisje hidrofonike për rritjen e grurit, si dhe një tjetër fermë në Gostivisht (Përmet), ku një zonjë dhe familja e saj po rrit numrin e koshereve dhe po diversifikon produktet e bletarisë, përkatësisht propolis dhe qumështin e bletës.

Këto ferma janë financuar përmes granteve nga Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit – tha znj. Totoni.

Në Workshopin që u zhvillua të premten në Durrës ekspertët vendas dhe të huaj vlerësuan  investimin pilot “Ferma e pulave në kampingun e fluturave”, i implementuar nga Labinot Murrja, Luzni, Dibër. 

Djaloshi dibran, prezantoi përmes dy minidokumentarëve projektin pilot, mjedisin e zbatimit, avantazhet dhe vështirësitë, mundësitë për tu pilotuar edhe në fermat e tjera si edhe elementet e mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm, së bashku me postulatet e Marrëveshjes së re të Gjelbër.

Fermeri i ri shtoi se kjo është një mënyrë shumë e mirë për të punësuar edhe bashkëfshatarët, dhe për të ndaluar largimin e të rinjve nga vendi i origjinës.

Takimi demonstrues dhe Tryeza e rrumbullakët rreth vlerësimeve e mësimeve të nxëna gjatë tre Workshopeve demonstruese shërbyen në kuadër të shkëmbimit të praktikave më të mira dhe mësimeve të mësuara nga vendet e Vishegradit (Cekia, Hungaria, Polonia dhe Sllovakia), për mbrojtjen e biodiversitetit dhe bujqësinë e qendrueshme.

G.K.