Katër deputetë të Partisë Demokratike dhe 30 protestues janë proceduar penalisht në gjendje të lirë nga Policia e Tiranës për bllokimin e rrugëve pasditen e së martës.
Deputetët e proceduar janë Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu dhe Asllan Dogjani.
Së bashku me protestuesit e proceduar, ata akuzohen për bllokimin e rrugës te mbikalimi i kthesës së Kamzës.
Deputetët e PD-së akuzohen edhe për kundërshtim të forcave të rendit. Ndërsa disa nga protestuesit akuzohen për djegien e gomave.
Të martën, për 3 tre orë opozita protestoi duke bllokuar 6 segmente rrugore nga veriu në jug gjatë intervalit kohor 17:00-20:00.
Si pasojë e aksionit të mosbindjes civile, mbështetësit e Partisë Demokratike paralizuan lëvizjen e automjeteve në mbikalimin e Kamzës, rrethrrotullimin e Shkozetit, atë të Bradasheshit, Rrogozhinës, Levanit e Milotit.