Elon Musk ka blerë një rezidencë prej 35 milionë dollarësh për familjen e tij ku përfshihen dy ish-partnere dhe 11 fëmijë që të jetojnë së bashku me të në Austin, Texas.
Katër persona të afërt me themeluesin e Tesla thanë për New York Times se Musk ka blerë rezidencën prej 1400 metrash katrorë që duket si shtëpitë luksoze në Toskana të Italisë.
Musk u ka thënë njerëzve afër tij që dëshiron që dy prej nënave të fëmijëve të tij të jetojnë në “shtëpi ngjitur” që ai ta ketë më të lehtë “të ndajë kohën” me fëmijët e vegjël. Gjithashtu ai dëshiron që të vegjlit “të jenë pjesë e jetës së njëri-tjetrit”.
Duket se Musk i është referuar punonjëses së Neuralink, Shivon Zilis dhe këngëtares Grimes me të cilat ka fëmijë më të vegjël në moshë.
CEO i SpaceX ka binjakë me Zilis, Strider dhe Azure, 2 vjeç si dhe një fëmijë të tretë që erdhi në jetë këtë vit, emri i të cilit nuk dihet. Zilis dhe fëmijët tashmë janë vendosur në njërën prej shtëpive.
Me Grimes, ai ka një djalë 4 vjeç, X AE A-XII, një vajzë dhe një djalë 2 vjeç, Exa Dark Sideræl dhe Techno Mechanicus. Këngëtarja nuk është vendosur në këtë shtëpi pasi ndodhet në një betejë ligjore me miliarderin mbi kujdestarinë e fëmijëve të tyre.
Me gruan e parë, Justine ka vetëm fëmijë të rritur në moshë, binjakët Griffin dhe Vivian, 20 vjeç, trinjakët Kai, Saxon dhe Damian, 18 vjeç.
Edhe pse duket që Elon nuk u ka kërkuar fëmijëve dhe Justine që të zhvendosen në rezidencë, një burim bën me dije se “ka hapësirë” nëse ata duan t’i vizitojnë.
Megjithatë, Musk nuk ka marrëdhënie të mira me vajzën e tij, Vivian e cila identifikohet si transgjinore. Nga ana tjetër, ajo thotë se i ati nuk është “aspak familjar” dhe “s’ndalon së gënjyeri për fëmijët e tij”.