Pas atentatit në Shkodër, ku Hamza Lici dhe një kalimtare ndërruan jetë e dy të tjerë u plagosën, mësohet se katër persona janë shoqëruar në komisariat.

Nga atentati i ndodhur sot në Dobraç të Shkodrës ka mbetur i vdekur Hamza Lici dhe u plagos rëndë Arlind Bushati, që kanë qenë edhe objektivë të autorëve.

Hamza Lici ishte vëllai i Ibrahim Licit, që dyshohet se ndodhet në Turqi, shpallur në kërkim nga shteti shqiptar për vrasjen e Endri Mustafës.

Ndërsa, Arlind Bushati është djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidat i PD për Bashkinë e Shkodrës. Arlind Bushati disa javë më parë kishte deklaruar në polici se ishte kërcënuar me jetë.

Nuk dihet shkaku i atentatit që i mori jetën Hamza Licit dhe një kalimtareje, por ka dyshime për hakmarrje për shkak të konflikteve të fisit Lici me fise të tjera në Shkodër.