Diaspora do ta ketë më të lehtë të plotësojë kushtet për regjistrimin në zgjedhjet e 2025. Me konsensus, 5 vota pro, Komisioni Rregullator pranë KQZ-së miratoi vendimin që lejon emigrantët të regjistrohen për votim pa pasur nevojë për certifikatë pronësie të adresës ku kërkojnë t’u mbërrijë fleta e votimit.

Mjafton edhe një vërtetim nga institucione publike apo private, të cilët saktësojnë adresën e banimit, apo adresa e shënuar në patentën e emigrantëve.

“Leje e drejtimit, ku shënohet adresa e shtëpisë, ose çdo dokument tjetër që provon adresën dhe është lëshuar në shtetin e huaj në institucione shtetërore dhe private”, tha Ilirjana Nano.

Zgjerimi i listës vijon edhe më tej me vërtetime bankare apo  kredie.

“Nga zëvendësimi i certifikatës së pronësisë, në dokument pronësie. Vërtetim bankar, kontratë kredie përmban adresën e banimit”, tha Vukaj.

Për të shmangur abuzimet, KQZ vendosi se jo më shumë se 6 persona mund të regjistrohen nga e njëjta adresë vendbanimi, përveç rasteve kur kërkesa është e përligjur.

“Numri i shtetasve shqiptar të regjistruar në të njëjtën adresë për regjistrim, mos të jetë me shumë se 6 vetëm nëse raste të  parashikuara sipas ligjit p.r.sh si kampet mund të lejohen”.

Këto ndryshime u miratuan nga KQZ pas negociatave me shoqatat e Diasporës.