Shatërvani i Trevit në Romë, një ndër atraksionet më të rëndësishme në kryeqytetin italian, është duke iu nënshtruar një projekti restaurimi dhe për këtë arsye uji i tij është ndërprerë deri sa të përfundojë projekti.

Megjithatë, autoritetet kanë gjetur një zgjidhje për të gjithë turistët që duan të shkojnë dhe të hedhin monedhën në këtë vend, duke krijuar një minipishinë.

Zgjidhja e përjetësuar në një foto të publikuar në Instagram nga faqja “Welcome to Favelas”, ndezi ironinë e përdoruesve.

“Imagjinoni sikur të bëni një udhëtim 14-orësh me avion për në shatërvanin e Trevit dhe të gjeni veten në një pishinë komunale”.

“Dakord, që ka shkurtime buxheti, por këtu po e ekzagjerojmë”, ishin disa prej tyre.

Punimet e mirëmbajtjes nga Mbikëqyrja e Kapitolinës filluan më 7 tetor.

Një restaurim i shatërvanit u bë në vitet 1989-91, i ndjekur nga mirëmbajtja e pjesës qendrore në vitin 1999, por rinovimi i fundit i madh u bë në vitet 2014-2015 dhe zgjati 17 muaj.

Qyteti i Romës, një nga destinacionet më të njohura turistike në botë, është duke shqyrtuar mundësinë e vendosjes së një tarife për hyrjen në sheshin e famshëm të shatërvanit Trevi.

Kjo masë, siç raportoi gazeta franceze Le Figaro, është pjesë e një përpjekjeje për të menaxhuar fluksin e madh të turistëve dhe për të luftuar mbiturizmin që ka prekur Qytetin e Përjetshëm.

Alessandro Onorato, përgjegjës për turizmin në bashkinë e Romës, ka njoftuar se autoritetet janë gjithashtu në procesin e shqyrtimit të vendosjes së një kufiri qëndrimi për vizitorët e huaj në këtë atraksion të njohur.

Ky kufi do të ndihmojë në menaxhimin e fluksit të vizitorëve dhe përmirësimin e përvojës turistike në këtë monument historik.

Nëse keni vizituar Romën, me siguri keni parë njerëz që hedhin monedha në shatërvanin e famshëm Trevi.

Çdo vit, mbi 1 milion euro përfundojnë në ujin e monumentit spektakolar të shekullit të 18-të. Për më shumë se një dekadë, të ardhurat të mbledhura nga një ekip i përkushtuar çdo disa muaj, kanë kontribuar në ndonjë kauzë shumë të mirë.

I ndërtuar mes viteve 1732 dhe 1762, shatërvani i Trevit është një nga pamjet më ikonike të Romës dhe është projektuar nga Nicola Salvi.