“Qytetnimi asht ma i fortë se krimi. Duhet të reagojmë, po na vrasin”. Me këtë mesazh PD dhe qytetarët shkodranë kanë protestuar dhe marshuar këtë të shtunë, kundër ngjarjeve kriminale të ndodhura në Shkodër dhe në sensibilizim të viktimave të pafajshme të këtyre ngjarjeve.
Protestës paqësore iu bashkuan qytetarë nga e gjithë Shqipëria, të cilët bënë thirrje për goditjen e bandave kriminale, mbrojtjen e qytetit dhe qytetarëve, ndërsa nuk munguan as mesazhet politike nga organizatorët.
“Siç e patë, siç e transmetuat, Shkodra reagoi fuqishëm, Shkodra sot foli me këtë marshim heshtje. Dhe duhet ta dini se ndonjëherë se ulërima e heshtjes është më shurdhuese se ulërima e zërit se vjen nga brenda Shkodrës, vjen zemra e Shkodrës. Qytetarët e Shkodrës, të provokuar nga Edi Rama, nuk duan që qyteti i tyre, qyteti i kulturës, i këngës, i gëzimit, të jetë sot qytet i bandave dhe i krimit. Shkodra nuk kërkon të imponohet nga Edi Rama në përzgjedhjet e saj politike dhe as nga bandat e krimit të organizuar, as nga banda e policisë dhe as nga banda e administratës. Ngjarja dhe situata në Shkodër dëshmon atë që ne kemi kërkuar dhe e kemi thënë shpesh, domosdoshmëria për qeverinë teknike është reale dhe faktike. Sot Shkodra e kërkon, sot qytetarët e Shqipërisë e kërkojnë”, tha Luçiano Boçi.
“Shkodra sot është djepi i krimit të organizuar dhe shkaktari i vetëm është Edi Rama dhe rilindja. Prandaj jemi këtu për të sensibilizuar qytetarët e Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë kundër këtij krimi. Nuk mundet Shqipëria, që ka hapur kapitujt e negociatave dhe është anëtare e NATO-s, të jetë vendi i krimit të organizuar, djepi i mafies. Shqipëria duhet të jetë një Shqipëri tjetër, një Shqipëri normale. Prandaj jemi këtu, për t’i thënë stop. Plani është marshim, protestë marshim kundër krimit politik, kundër krimit me fytyrë shtetërore. Policia nuk ka kohë të merret me ligjin, ka dalë nga binarët e ligjit pasi është një narkopolici. Në momentin që policia ka në fokus luftën kundër opozitës, kjo është domethënëse. Policia është njësh me krimin, sikundër i gjithë regjimi është nën kthetrat e krimit. Mesazhi është për qytetarët të ngrihen kundër narkoregjimit, kundër krimit me pushtet, kundër këtij regjimi që po përpiqet të rrënojë Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë. Shqiptarët nuk mund të pranojnë një krim që është nën kthetrat e krimit”, u shpreh Flamur Noka.