Mes personave që është lëshuar urdhër arrest në kuadër të operacionit ndërkombëtar kundër një rrjeti të dyshuar për trafik droge e pastrim parash është edhe një prokuror shqiptar.

Sipas BalkanWeb bëhet fjalë për prokurorin Maksim Sota, i cili ka qenë kandidat për në SPAK dhe në korrik 2019 u intervistua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si kandidat i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, por u skualifikua që në fazën e parë.

Prokurori Maksim Sota e ka nisur detyrën në Prokurorinë e Vlorës dhe ka qenë drejtues i kësaj prokurorie për disa vite. Gjatë intervistimit, Sota ka shprehur ambicien e tij për hetime të rëndësishme dhe ka thënë para Këshillit se mban përgjegjësi të plotë për dosjet që ka hetuar.