Hetimet për atentatin në Shkodër të disa ditëve më parë ku u vranë Hamza Lici, Arlind Bushati dhe dy qytetare të pafajshëm vazhdojnë ende. 

Mësohet se Policia ka kryer kontrolle në disa klinika mjekësore private në Shkodër, me qëllim gjetjen e personit të tretë, që policia dyshon se ka qenë në makinën tip “Benz” me targa kroate dhe që ky person i tretë mund të jetë plagosur. 

Teksa hetimet për atentatin me 4 viktima zhvillohen intensivisht, policia është vënë në kërkim të personit që në videon qe po qarkullon në rrjet duket si Ibrahim Lici. 

Policia i ka ushtruar këto kontrolle pas dyshimeve se në këto klinika është paraqitur një person i plagosur, i cili pasi ka marrë mjekim është larguar. 

Qëllimi i kontrolleve nga policia ka qenë sekuestrimi i pamjeve të kamerave të sigurisë për të provuar nëse personi i plagosur është paraqitur për mjekim ose jo në klinikat private, pas ngjarjes. 

Po ashtu, policia e shtetit për të provuar shkencërisht me prova prezencën në makinë të viktimave dhe personit të tretë të mundshëm të plagosur, ka dërguar për ekzaminim në laborator prova të marra në vendngjarje si fije floku, gjurmë gishti, profile biologjike, profile djerse dhe gjaku për të zbuluar gjurmë të ADN-ve të secilit person që ndodhej në makinë, me qëllim identifikim shkencërisht të personit të tretë në makinë.