Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ka raportuar në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese për projekt-buxhetin e vitit 2025. 

Si fillim ajo u ndal te financimi për mirëmbajtjen e rrugëve. 

“Ju e dini që tashmë ARRSH përmban 3600 km rrugë në të gjitha akset kombëtare të inventarizuara në të cilat 1358 janë rrugë primare dhe 2235 janë rrugë sekondare. Mirëmbajtja e rrugëve, mundohemi të rrisim efikasitetin tonë duke i mbajtur kostot nën kontroll. Ky buxhet padyshim siguron që të financohen projektet koncesionare dhe ato PPP në vlerën 5,38 miliardë Lekë. Ndërtim dhe sistemim rrugësh në vlerën 18,53 miliardë Lekë. Projekte të sigurisë rrugore që për ne është një nga elementet më të rëndësishëm. TVSH-ja dhe kosto lokale janë parashikuar në vlerën 1 miliard Lekë. Mbikëqyrjet e punimeve janë në vlerën e 253,3 milionë Lekë, ndërkohë që studimet dhe projektimet janë në vlerën e 121.7 miliardë Lekë.” 

Së dyti, foli për projektet e rehabilimit të Rrugës së Arbrit, autostradës Milot-Morinë dhe Bypassit Orikum-Dukat. Për Urën e madhe të Kukësit, tha se janë investuar 40 mln euro. 

“Projektet koncesionare, ai për përmirësimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit. Sipas afateve që janë rivendosur pas problematikave në Tunelin e Murrizit që janë zgjidhur me ndërhyrje teknike, kemi shpresë të hapet në fund të këtij viti. Por e gjithë kontrata duhet të dorëzohet në Mars 2025. Shlyerja e këtij projekti do të përfundojë në vitin 2031. Përmirësimin dhe rehabilitimin e autostradës Milot-Morinë. Ka pasur dhe një arritje të rëndësishme në javën e fundit, kemi dorëzuar Urën e madhe të Kukësit, ka një kosto investimi 40 milion euro. Shlyerja financiare për të gjithë veprën do jetë në vitin 2032. Projekti i tretë, është porti i jahteve. Bypassi Orikum-Dukat, shlyerja e kontratës përfundon në vitin 2033. Zgjerimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë, ku të gjitha kantieret janë në proces dhe gjeologjia është e qëndrueshme. Parashikohet dhe mbrojtja lumore e Shkumbinit.” 

Numri dy i qeverisë tha se projekti më i rëndësishëm për vitin që vjen është ngritja e Qendrës së Monitorimit të Trafikut. 

“Po instalohet pjesa e platformës, do nisim me monitorimin e 200 km në akset kryesore. Pra Korridori Blu, Korridori i 8-të, autostrada Tiranë-Elbasan. Do shtojmë 200 km të tjera në fazën e dytë derisa të bëhet  mbulimi i plotë. Do vendosen edhe trupa policore monitorimi.”