Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi sot në Komisioni për Ekonominë dhe Financat të ardhurat dhe shpenzimet e planifikuara për projektbuxhetin e shtetit për vitin 2025. Ministri Malaj theksoi se ky projektbuxhet ka si objektiva kryesore sigurimin e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme, krijimin e mundësive për punësim dhe zhvillim, si dhe konsolidimin fiskal, që synon uljen e borxhit publik dhe ruajtjen e parametrave makroekonomikë dhe fiskalë në nivele pozitive.
Të ardhurat buxhetore për vitin 2025 janë parashikuar në 754.6 miliardë lekë, ose 28.8% e PBB-së, një rritje prej 40.6 miliardë lekësh krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024. Ndërkaq, shpenzimet buxhetore për vitin 2025 janë planifikuar në 822.7 miliardë lekë, me një rritje prej 51.4 miliardë lekësh në krahasim me vitin 2024.
Ministri Malaj shpjegoi se rritja e të ardhurave buxhetore për vitin 2025 është mbështetur në disa faktorë kyç. Parashikohet një rritje e Prodhimit të Brendshëm Bruto prej 3.9% dhe një indeks i çmimeve prej 3%. Po ashtu, reforma e pagave e nisur në korrik 2024 pritet të sjellë të ardhura shtesë nga tatimi mbi pagën dhe kontributet. Një tjetër faktor i rëndësishëm është përmirësimi në administrimin e tatimeve dhe taksave, si dhe efektet e politikave fiskale të zbatuara në vitet e kaluara.
Të ardhurat tatimore për vitin 2025 pritet të arrijnë në 709.8 miliardë lekë, me një rritje prej rreth 54 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2024. Nga kjo shumë, 499 miliardë lekë do të mblidhen nga tatimet dhe doganat, ndërsa 168.9 miliardë lekë do të vijnë nga kontributet për sigurimin shoqëror dhe shëndetësor. Ministri i Financave theksoi se burimet kryesore të rritjes së të ardhurave janë miradministrimi, rritja ekonomike dhe efektet pozitive të politikave fiskale të mëparshme.
Shpenzimet buxhetore për vitin 2025 janë planifikuar në 822.7 miliardë lekë, dhe do të përqendrohen në sektorët prioritarë si arsimi, shëndetësia, infrastruktura, shërbimet dixhitale dhe bujqësia. Ministri Malaj nënvizoi se për vitin 2025 do të financohet me prioritet Planin e Rritjes së Bashkimit Europian (BE) për Ballkanin Perëndimor, që do të ndihmojë në përshpejtimin e konvergjencës ekonomike dhe sociale me vendet e BE-së.
Po ashtu, shpenzimet për pagat në administratën publike do të arrijnë në 127.6 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet operative për qeverisjen qendrore do të jenë 71.3 miliardë lekë. Një tjetër pjesë e shpenzimeve do të përdoret për mbështetje me skema sociale, përfshirë mbështetje për fermerët, mirëmbajtjen e infrastrukturës dixhitale dhe sigurinë kibernetike, si dhe për shpenzimet për arsimin dhe shëndetësinë.
Në aspektin e shpenzimeve sociale, janë parashikuar 263.8 miliardë lekë për Fondet e Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore. Pjesa më e madhe e këtyre fondeve do të shkojë për sigurimet shoqërore (192.3 miliardë lekë), ndërsa për sigurimet shëndetësore janë planifikuar 63.1 miliardë lekë.
Gjithashtu, për vitin 2025 janë parashikuar fonde për subvencione shtetërore, pagesat e papunësisë, ndihmën ekonomike dhe për bonusin e lindjeve. Ministri Malaj përfundoi duke theksuar se ky projektbuxhet është një hap i rëndësishëm për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit dhe për përmirësimin e mirëqenies sociale të qytetarëve shqiptarë.
Projektbuxheti për vitin 2025 ka si objektiva të tjera konsolidimin fiskal, me një ulje të borxhit publik në 55.8% të PBB-së dhe një balancë primare pozitive. Parashikohet një rritje ekonomike prej 3.9% për vitin 2025, që do të jetë e mbështetur nga kërkesa e brendshme dhe eksportet, me një fokus të veçantë në sektorin e turizmit./ Monitor