Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda është takuar gjatë ditës së sotme me Kryeprokuroren e Prokurorisë Federale të Mbretërisë së Belgjikës, Ann Fransen. Takimi në fjalë vlerësohet nga Policia e Shtetit shumë i rëndësishëm, pasi synon të çojë më tej bashkëpunimin me strukturat hetimore të Mbretërisë së Belgjikës me qëllim hetimin dhe goditjen e grupeve kriminale, konstatimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Në këtë takim kanë marë pjesë edhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe magjistratë të Mbretërisë së Belgjikës. Të pranishmit u dakordësuan për vënien të dispozicion të skuadrave të përbashkëta hetimore, të ekspertëve më të mirë, të cilët do të shkëmbejnë informacione dhe eksperienca, si dhe do të kryejnë hetime duke aplikuar metodat më të mira operacionale dhe policore, me qëllim goditjen e krimit të organizuar.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ilir Proda i propozoi kryeprokurores Fransen, nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, si dhe kërkoi që për çdo shtetas shqiptar i dënuar në Belgjikë, të bashkëpunohet me Policinë e Shtetit, në mënyrë që të nisë hetimi pasuror.

Kryeprokurorja Fransen është shprehur se gjatë punës së saj, Policinë Shqiptare e ka konsideruar partnere parësore. Gjithashtu, shprehu përgëzime për bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm, të konkretizuar me operacione të përbashkëta dhe me ekzekutimin e menjëhershëm të letërporosive të agjencive ligjzbatuese belge.