Deputeti demokrat Saimir Korreshi nuk i ka kursyer ironitë ditën e sotme në seancën parlamentare, teksa foli për pensionet.
Korreshi tha se indeksimi i pensioneve është i barabartë me 1 kg grosh dhe një tufë me qepë të njoma, teksa shtoi se pensionet u indeksuan me 400 lekë, por të moshuarve iu hoq rimbursimi i ilaçeve 1700 lekë.
Sipas Korreshit, pensionistët nuk kanë mundësi të blejnë as kafe, jo më të përballojnë shpenzimet e përditshme.
“Indeksimi i pensioneve është i barabartë me 1 kg grosh dhe një tufë me qepë të njoma. Ose e thënë ndryshe një shishe kos 2000 lekë, një bukë dhe 4 koqe vezë. Se ju me buxhetin tuaj ua keni ngritur të gjithëve. E di çfarë shamposh përdorin pensionistët, tre në një, test enësh për të larë kokën, duar dhe këmbët. Mos u tallni, se vijnë kaq shumë turistë dhe dalin kaq shumë turistë. Ishalla i mbajnë fort kalamajtë nga andej, se këtu pensionistët shqiptarë nuk ka. Kanë dalë të luajnë domino, se nuk kanë për kafe, se edhe kafja është rritur. Më tregoni mua, të vej një njeri pensionistit në shtëpi, ishalla është nga ata që pi kafe turke pa sheqer, se nuk blejnë dot as një kilogram sheqer. O Zoti ministër, u ke kaluar atyre një cik nafte makinave të kontrollit, se na grijnë ato, o burrë i dheut,” tha Korreshi.