Mbrëmjen e së shtunës është ndarë nga jeta në moshën 82-vjeçare ish-kryetari i Bashkisë së Selanikut, Giannis Boutaris, i cili kohët e fundit përballej me probleme shëndetësore.

Ai ishte kryetari i 60-të i bashkisë së Selanikut, duke qënë në krye të saj nga 1 janari 2011 deri më 31 gusht 2019, pasi fitoi dy herë radhazi mandatin, në një moment të vështirë në kulmin e krizës ekonomike greke.

Politikani radikal, biznesmeni vizionar, pionieri i shoqërisë civile, Giannis Boutaris, u adhurua nga shumë njerëz, por edhe u sulmua nga shumë të tjerë për idetë e tij përparimtare.

Ai ishte padyshim një personalitet ikonë jo vetëm për Selanikun por për të gjithë Greqinë.

Duke vazhduar traditën e gjatë të familjes së tij në fushën e prodhimit të verës, Boutaris nuk shikonte vetëm interesat e biznesit të tij, por kontribuoi në ngritjen e të gjithë industrisë greke të verës.

Gjatë gjithë jetës së tij, biznesmeni Boutaris ka qenë njëkohësisht qytetar aktiv.

Ndihmoi në përpjekjet për themelimin e Muzeut Maqedonas të Artit Bashkëkohor, financuesi kryesor i ekipit të basketbollit Aris të Selanikut, themelues i organizatës joqeveritare Arktouros për mbrojtjen e ariut.