Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj është thirrur sot për të dëshmuar në Komisionin Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-Up në Shëndetësi në lidhje me rolin e tij në koncesionin e Sterilizimit.
Beqaj ndodhet pas hekurave i akuzuar për shpërdorim të fondeve të SASPAC dhe gjithashtu nën hetim me masë “detyrim paraqitje” për koncesionin e Sterilizimit.
Ditën e djeshme në këtë komision ka dëshmuar biznesmeni Ilir Rrapaj, gjithashtu i arrestuar për koncensionin e Sterilizimit.
Thirrja e dëshmitarëve për të sqaruar rrethana të ndryshme që lidhen me çështjen, sipas rregullave të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, si më poshtë:
Ora 10.00
Ilir Beqaj
Ora 17.00
Admir Daca
Ora 18.00
Altin Fani
Umbro Stalccini
Elisabetta Anzanello
Giorgio Tardioli
AKUZA PËR BEQAJN
SPAK tha se në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC), Ilir Beqaj, në bashkëpunim me vartës të tij gjatë viteve 2022-2023 kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me marrëveshjet e firmosura nga Shqipëria dhe Komisionit Evropian.
“Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të ngjarjeve: ‘Mbi organizimin e Konferencës Festa[E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri]’, si dhe ‘Konferenca e Energjetikës’, organizuar në vitin 2023 nuk u janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Sipas prokurorisë, tenderët që janë zhvilluar me prokurim të thjeshtë, janë urdhëruar nga Ilir Beqaj.
Një prej shërbimeve, (organizimi i konferencës për turizëm) në vlerë prej 125.000 eurosh është i njëjtë me atë të prokuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (në vlerën sipas çmimit të kontratës prej 380.000 eurosh) për të njëjtin ngjarje, duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare, që ka si administrator dhe drejtor dy persona nën hetim për abuzime me fondet e ndihmës së bashkimit Evropian.
SPAK thotë se i vetmi shërbim i ofruar në kuadër të këtij ngjarjeje nga kjo shoqëri tregtare është organizimi i darkës, në një vlerë prej 4.189.000 lekë (40.000 euro) në restorant Gzona, që dyshohet se është në pronësi de facto të Ilir Beqajt.
SPAK-u thotë se Ilir Beqaj dyshohet se ka kryer deklarim të rremë mbi pasurinë e tij nga viti 2020 e në vazhdim, pasi ka fshehur interesat pasurore të tij mbi këtë restorant pranë Kalasë Tiranë.
“Pavarësisht se bashkëshortja e tij ka figuruar de jure ortake në masën 15% në këtë shoqëri deri në vitin 2020, duke i dhuruar më pas kuotat e saj ortakut tjetër, ortak ka qenë në fakt vetë personi nën hetim I. B., i cili ka vijuar si i tillë edhe përgjatë kohës që drejtonte SASPAC-un”, thekson SPAK-u.
SPAK thotë se interesat pasurore të tij mbi këtë restorant, Beqaj i ka ushtruar përmes bashkëpunëtorit të tij, i cili i ka administruar ato, duke qenë i punësuar që nga krijimi i tij, por pa qenë i deklaruar si i punësuar pranë organeve tatimore. Në të njëjtën mënyrë ka fshehur edhe një automjet.
Prokuroria thotë se gjatë hetimeve janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe në njërën nga zyrat e shoqërisë tregtare ku janë sekuestruar dokumente dhe blloqe me shënime, shuma parash prej afro 47. 000 euro dhe 700.000 lekë (7.000 euro), aparate telefoni me interes për hetimin. Hetimet vazhdojnë në lidhje me grumbullimin dhe sigurimin e provave për persona të tjerë të përfshirë në këto veprime.
Agjencia Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës u krijua në tetor të vitit 2021 me vendim të Këshillit të Ministrave dhe kishte si mision koordinimin e ndihmës së huaj për programet dhe projektet zhvillimore.
Beqaj dha dorëheqje nga posti i drejtorit të agjencisë nëntorin e vitit të kaluar, pasi iu caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim dalje jashtë shtetit” për shkak të hetimeve për dosjen “sterilizimi”.
Ndër përgjegjësitë e kësaj agjencie, ishte dhe mbështetja e Ministrisë përgjegjëse për Evropën në përmbushjen e përgjegjësive të saj për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe t’i mbështeste misionet diplomatike në koordinimin e punës së tyre me donatorët e huaj.
Përveç Beqajt, u arrestuan edhe dy zyrtarë të tjerë të kësaj agjencie.
Pas hetimeve dhe kërkesës së SPAK-ut, gjykata ka caktuar masë arresti me burg, për Beqajn dhe dy bashkëpunëtorë të tij, “arrest shtëpie” për dy persona të tjerë, si dhe “detyrim paraqitjeje” për dy persona.
Beqaj dhe bashkëpunëtorët e tij dyshohen për kryerje të veprave penale “Korrupsioni pasiv”, “Korrupsioni aktiv”, “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive”, “Mashtrimi” si dhe “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”.