Sinoptikania Anira Gjoni solli parashikimet e fundit të IGJEUM për luhatjet e motit në këto ditë ku dimri sapo ka trokitur. Ajo zbulon se pritet që ky dimër të jetë më i ftohtë dhe të kemi praninë e borës, ndryshe nga 5 vitet e fundit.

“Java nisi me temperatura të ulëta, ku gjatë mëngjesve të së hënës dhe të martës ato ishin nën zero gradë.

Presim që nesër e pasnesër në zonat malore temperaturat të shkojnë mbi zero, nga 1 gradë deri në 13 gradë; në zonat e ulëta presim që minimalja të regjistrojë temperatura 5 gradë dhe maksimalja 19 gradë; ndërsa në zonat bregdetare minimalja presim të jetë 11 gradë dhe të shkojë deri në 18 gradë celsius.

Do të kemi një rritje graduale prej dy gradësh pas së enjtes.

Presim që në juglindje të vendit të nisin sot në mbrëmje reshjet e shiut, që do të jenë të dobëta dhe që vijnë gradualisht duke e shtuar intensitetin në dy ditët e ardhshme.

Nuk presim të kemi përmbytje dhe dalje të lumenjve nga shtratet e tyre, por duhet të jemi të përgatitur pasi po hyjmë në stinën e dimrit, dhe sigurisht që duhen marrë masa, pasi presim që ky dimër të jetë më i ftohtë dhe të kemi praninë e borës, ndryshe nga ç’jemi mësuar në këto 5 vitet e fundit, ku nuk kemi parë reshje bore”, u shpreh ndër të tjera sinoptikania Anira Gjoni për oranews.