Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj do të lirohet sërish përkohësisht nga qelia ditën e sotme për të dëshmuar në Komisionin Hetimor për Sterilizimin dhe Check Up.

Ndonëse u paraqit që prej orës 10:20 të paradites së djeshme në Komision, Beqaj, nuk mundi të dëshmojë prej 9 orësh.

Shkak u bënë debatet nëse duhet të zgjatet mandati i Komisionit, i cili përfundon ditën e sotme më 13 nëntor. Në këtë mënyrë dështoi dhënia e dëshmisë së ish-ministrit Ilir Beqaj në komisionin hetimor për koncesionet në shëndetësi. Që në nisje të seancës Beqaj kërkoi që të gjithë deklaratën e tij, që ia lejon Rregullorja e Kuvendit, por dhe anëtarët e komisionit, ta prezantonte me tabela në “Power Point”.

Çka u kundërshtua nga kryetarja demokrate e komisionit e që çoi në një debat që vazhdoi për 3 orë. Albana Vokshi theksoi se sipas procedurës ai duhet të bëjë një deklaratë dhe jo prezantim. Vokshi tha se komisioni hetimor nuk është as gjykatë as prokurori. Ndërkohë që Plarent Ndreeca u shpreh se kjo që po bën Vokshi, duke mos lejuar Beqajn të bëjë prezantim dhe video është heqje e fjalës së lirë.

Në replikën e saj për Ndrecën, Albana Vokshi, tha se “nëse Beqaj do të bëjë prezantim të shkojë në Surrel”, duke nënkuptuar këtu kryeministrin Rama, i cili banon në Surrel. Seanca e djeshme u mbyll me propozim të nënkryetarit të komisionit, Plarent Ndreca, i cili tha se “nuk po i japim dot drejtim”.

Seanca e pyetjeve me ish-ministrin Ilir Beqaj do të zhvillohet sot rreth orës 10:30.