Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka pritur ditën e sotme Kryetarin e radhës së OSBE, Ian Borg i cili është njëherësh dhe Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme të Maltës. 

Në një deklaratë për mediat, Hasani është shprehur se Shqipëria është e angazhuar që ta intensifikojë bashkëpunimin me Maltën, për të cilën thotë se ka njohur rritje të dukshme. 

Më tej, Hasani ka shtuar se prioriteti ynë mbetet ruajtja e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe promovimi i stabilitetit politik, paqes dhe zhvillimit ekonomik në rajon. 

Në fund të deklaratës, ministri Hasani ka theksuar se i ka kërkuar Borg mbështeje teknike dhe ekspertizë nga Malta për negociatat e anëtarësimit të  Shqipërisë në BE. 

Igli Hasani: Jemi të angazhuar që ta intensifikojmë këtë bashkëpunim, i cili ka njohur një rritje të dukshëm në nivel 2-palësh dhe ndërkombëtar. Ekonomia është një nga shtyllat kryesore të këtij partneriteti, të cilin synojmë ta çojmë më tej në shumë sektorë. Jemi të hapur dhe për projekte 2-palëshe dhe rajonale. Prioriteti ynë mbetet ruajtja e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe promovimi i stabilitetit politik, paqes dhe zhvillimit ekonomik në rajon. Një Europë Jug-Lindore e sigurt sjell dobi jo vetëm për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit, por për të gjithë Evropën. 

I shpreha kolegut mirënjohjen për mbështetjen e Maltës ndaj axhendës së integrimit evropian të Shqipërisë dhe për sigurinë që kjo mbështetje do të vazhdojë përpjekjet tona për anëtarësim në BE. Përkushtimi i Shqipërisë dhe rezultatet e procesit të reformave, si dhe besueshmëria e plotë në drejtim të qëllimeve tona për integrim në BE, u konfirmuan dhe me nisjen e negociatave të anëtarësimit për grup-kapitullin e parë dhe ky ishte një sinjal i shumëpritur duke theksuar se procesi duhet të ketë meritë. Shqipëria është më e angazhuar se kurrë për të përmbushur detyrimet e saj. I kërkova kolegut mbështetje teknike dhe ekspertizë nga Malta për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.