Prokuroria e Tiranës ka lexuar pretencën për veprën penale të dhunës në familje për Princ Lekën, ish-bashkëshorten Elia Zaharia dhe babin e kësaj të fundit.

Organi i akuzës ka kërkuar 1 vit e 6 muaj burg për Princ Lekën. 6 muaj heqje lirie për Elia Zaharian dhe 1 vit burg për Gjergj Zaharian. Në përfundim të konkluzioneve të tij, organi i akuzës ka kërkuar pezullimin e dënimit me burg për të 3 të akuzuarit dhe vendosjen e tyre në shërbim prove.

Tre të akuzuarit janë përballur me akuzën për “dhunë në familje” dhe çështja është trajtuar nëpërmjet procedurës së gjykimit të shkurtuar, e cila ul dënimin maksimal për akuzat e ngritura.

Kujtojmë se Elia Zaharia së bashku me babain e saj Gjergj Zaharia, u përfshinë në një konflikt fizik me Princ Lekën gjatë periudhës së divorcit të ish-çiftit.

Hetimet nga prokuroria nisën pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale ku ish-çifti, Leka Zogu dhe Elia Zaharia, shfaqeshin në momente tensioni, përfshirë përplasje verbale dhe fizike.

Pas publikimit të videos, Princ Leka dhe Elia Zaharia kanë bërë kallëzim në polici, ku akuzuan njëri-tjetrin për dhunë fizike.