Avokatja e Popullit në detyrë veç të tjerash ka kërkuar që në buxhetin e vitit të ardhshëm të parashikohet një shtesë financiare për një komisioner të ri, i cili specifikisht do të ketë detyrim të mbikëqyrë respektimin e të drejtave të njeriut brenda kampit të Gjadrit.

Përpara Komisionit të Ligjeve, Erinda Ballanca tha se Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj për marrëveshjen ia njeh këtë të drejtë Avokatit të Popullit, por është pala italiane e cila do të duhet të vendosë nëse do të lejohet apo jo mbikëqyrja e këtij institucioni shqiptar.

“Ne kemi bërë disa takime me homologët italianë, për të pasur një veprimtari të përbashkët dhe për të kordinuar punën për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave themelore. Kemi marrë kontakt dhe jemi duke qartësuar pozicionin tonë. Fakti që ne mendojmë të shkojmë me ekipe të përbashkëta, secili do të ketë mundësi të paraqesë gjetjet e veta sa i takon të drejtave të njeriut”.

Avokatja e Populli pohoi se po vazhdojnë hetimet për metodat e përdorura për arrestimin e Ilir Metës, ndërsa i ka adresuar Kuvendit dhe kërkesën për të parashikuar në buxhet dhe minimumin jetik dhe indeksimin e ndihmës ekonomike veç atij të pensioneve.