Aktivistja e njohur Edlira Çepani ka ndarë përvojën e saj nga një trajnim dhe mentorim me të rinjtë nga tri shtete të Europës Lindore, gjatë një vizite në Kishinau, Moldavi, teksa i është rikthyer aktiviteteve pas tragjedisë që kaloi me humbjen e papritur të bashkëshortit Gerti Bogdani.

Ajo theksoi forcën dhe qëndrueshmërinë e të rinjve që përballen me pasojat e konflikteve të vazhdueshme, përfshirë luftën në Ukrainë, si dhe vështirësitë e përditshme që ata kalojnë.

Në postimin e saj, Çepani foli për mundësinë e punës me këta të rinj, të cilët, pavarësisht kushteve të vështira, gjejnë forcën për të vazhduar të luftojnë për një të ardhme më të mirë.

Postimi i plotë:

Në përpjekjen e mundimshme për të rifilluar angazhimet në përmbushjen e një misioni si amanet, rrugëtova drejt Chisinau. Aty pata fatin të njihja e të frymëzohesha nga të rinj nga 3 shtete të Europës Lindore, të cilët më treguan kaq bukur, se në mes të fatkeqësive e luftërave si ajo në Ukrainë (dhe sirenave të bombardimeve që u bien atyre dhe familjeve të tyre kohë e pa kohë), në mes të vështirësive që ata përjetojnë çdo ditë, sërish gjejnë forcën për të ecur përpara dhe për të luftuar për një botë më të mirë!
Faleminderit RSI Institute dhe KIC Sweeden për këtë mundësi që të isha trajnerja dhe mentorja e tyre, si dhe për mbështetjen që u jepni të rinjve!