Seanca plenare e ditës së sotme ka nisur me debate mes palëve. Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi i ka kërkuar kryeparlamentares zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor për Koncensionet në Shëndetësi teksa e ka akuzuar që nuk e ka lejuar opozitën që të bëjë punën e saj. Bardhi kërkon shtyrjen e këtij komisioni me të paktën 3 javë.

Gazment Bardhi: Të kanë informuar gabim se nuk ka asnjë rregull në ligj që kërkohet vendim i ndërmjetëm nga komisioni për shtyrjen e afatit, është një rregull që e keni vendosur. Afati i veprimtarisë së komisionit, kompetencë e propozuesit dhe vendimmarrja e Konferencës së Kryetarëve. E rëndësishme është që a e ka përfunduar komisioni punën e tij apo jo. Komisioni nuk e ka përfunduar planin hetimor të punës dhe nuk mund të ndërpritet veprimtaria. Ju nuk i keni dhënë kohë komisionit për të hartuar raportin. Ju e keni vrarë pa produkt komisionin hetimor. Nuk e keni lejuar opozitën që të bëjë punën e saj. Vendimmarrja juaj e djeshme në kundërshtim me të drejtën e opozitës për kontroll parlamentar.

Rimblidhni Konferencën e Kryetarëve dhe rizgjasni afatin e komisionit hetimor, të mbarojë planin e punës dhe të ketë mundësi që të paraqesë secila palë në seancë plenare, mos pengoni punën e këtij komisioni. Dëshmitari nuk e ka vullnetare ardhjen në komision, e ka për detyrim ligjor. Ajo që ka ndodhur, është që dëshminë Ilir Beqaj do ta japë sipas rregullave që cakton në paraburgim. Dëshmia e tij duhet të merret sipas rregullave të procedurës penale. Ndërhyni të lejoni veprimtarinë e komisionit hetimor, të lejoni zgjatjen me 3 javë të komisionit për të pasur mundësi që të respektojmë të gjithë bashkë kushtetutën.