David Ira Lang është 71-vjeçari amerikan, i dënuar nga autoritetet ruse për pornografi me të mitur, që u arrestua në Shqipëri.

71-vjeçari u vendos në pranga pasi dyshohet se prodhonte dhe posedonte materiale pornografike me të mitur në Shqipëri.

Gjatë kontrollit në banesën e David Ira Lang, policia kriminale gjeti dhe sekuestroi pajisje elektronike dhe materiale të tjera, që kanë shërbyer për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet pas disa muajsh hetime operacioni policor i koduar “Gjurma virtuale”.

Operacioni, rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Task Forcës për Shërbimet e Përbashkëta Investiguese në Departamentin e Policisë Kriminale dhe Njësisë kundër Krimeve Kibernetike, me Zyrën Rajonale të Sigurisë së Ambasadës së ShBA në Tiranë (RSO/OCIU) dhe me Prokurorinë e Tiranës

Prodhonte dhe posedonte materiale pornografike me të mitur, arrestohet 71-vjeçari (shtetas amerikan, me precedent penal jashtë Shqipërisë).

Hetimet disamujore të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Gjurma virtuale” rezultuan me identifikimin dhe ndalimin e shtetasit amerikan D. L., 71 vjeç, banues në Tiranë.

Ai dyshohet se në Shqipëri, prodhonte dhe posedonte materiale pornografike me të mitur.

Në zbatim të urdhrit të Prokurorit, për ekzekutimin e vendimit të gjykatës, për lejim të kontrollit, Departamenti i Policisë Kriminale kreu kontroll në banesën e 71-vjeçarit, ku gjeti dhe sekuestroi pajisje elektronike dhe materiale të tjera, që kanë shërbyer për kryerjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Vijojnë hetimet. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Kush është amerikani

Biznesmeni është dënuar nga një gjykatë ruse të kalojë 7.6 vite në mërgim për filmimin dhe shitjen e materialeve pornografike ku ishin përfshirë dhjetëra fëmijë të mitur, sipas DailyMail.com.

David Lang, një konsulent biznesi ‘i respektuar’ dhe mësues i anglishtes nga Nju Jorku, drejtoi studion e tij të paligjshme të filmit për 9 vjet në Chelyabinsk, përpara se të arrestohej.

Në gjykatë u paraqitën pamje filmike dhe fotografi ku ai abuzonte seksualisht me viktimat e tij. Sipas medias britanike, David Lang abuzoi seksualisht një adoleshente në mënyrë të përsëritur.

Ai u shpall fajtor për ‘marrëdhënie seksuale dhe akte të tjera të natyrës seksuale me një person që nuk ka mbushur moshën 16 vjeç’. David Lang kishte bashkëpunëtore një grua ruse të quajtur Ekaterina Yasina, nënë beqare e cila vepronte si përkthyesja e tij dhe gjeti vajzat e mitura që 71-vjeçari përdorte në filmat e tij pornografik.

Gjithashtu Ekaterina Yasina i rregullonte flokët dhe grimin të miturave për sesione fotografike. Ajo u dënua me tre vjet me kusht, për shkak se ishte nënë e një fëmije të mitur.

Ndërsa Lang u dënua në një gjyq me dyer të mbyllura dhe më pas apeloi vendimin, por kërkesa e tij u refuzua.

Ai dërgoi filma porno për fëmijë në CD-disqe në SHBA me korrier ekspres dhe paratë që fitoi shkuan në llogarinë e tij bankare amerikane, sipas zyrtarëve. Amerikani filloi publikimin e materialeve pornografike në internet në vitin 2014.

I moshuari u arrestua kur policët e armatosur u ulën me litarë nga çatia e banesës së tij për t’u futur brenda duke thyer xhamat.

Lang shihej si një mësues anglishtes dhe biznesmen i respektuar, i cili kishte njohje me diplomatë të lartë amerikanë në Rusi.

Para arrestimit të tij, Land u fotografua me ambasadorin e atëhershëm të SHBA në Rusi, Alexander Vershbow, i cili shërbeu në Moskë nga 2001 deri në 2005.

Ai është fotografuar edhe me Thomas Niblock, konsull të përgjithshëm amerikan në Ekaterinburg./Panorama.al