4.9 milionë vizitorë janë regjistruar në zonat e mbrojtura nga janari në tetor të vitit 2024, pra 20% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.

Siç shihet edhe nga të dhënat, vetëm gjatë muajit Tetor janë shënuar 440 mijë vizitorë në zonat e mbrojtura.

Shifrat janë bërë publike nga Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, përmes një postimi në rrjete sociale e cila shprehet se kjo është një provë e shtrirjes së sezonit në territor dhe në kohë, duke diversifikuar ofertën turistike.

Sipas të dhënave nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, 3,2 milionë vizita janë kryer nga qytetarë shqiptarë dhe 1,7 milionë nga vizitorë të huaj.

Parqet më të vizituara për muajin Tetor kanë qenë Parku Kombëtar Alpet e Shqipërisë me 78 mijë vizitorë, Parku Divjakë Karavasta me 29 mijë vizitorë dhe Parku Kombëtar Butrint me 17 mijë vizitorë.

“4.9 milionë vizita nga janari në tetor janë shënuar në zonat tona të mbrojtura nga parqet kombëtare, parqet natyrore e deri te monumentet e natyrës duke tejakaluar krejt vitin 2023, si prova më e qartë e shtrirjes së turizmit gjatë gjithë vitit, diversifikimit dhe zhvillimit të ekoturizmit, teksa vetëm gjatë muajit tetor janë shënuar 440 mijë vizitorë në zonat e mbrojtura”, shkruan Kumbaro.