Nëse Donald Trump tërheq ndihmën për Ukrainën, kjo e fundit do të detyrohet të prodhojë bombën e saj bërthamore.

Kështu thekson media e njohur Britanike, The Times, duke cituar burime të saj ushtarake. Bomba bërthamore rudimentare mund të zhvillohet brenda muajve, sipas një dokumenti informues të përgatitur për Ministrinë e Mbrojtjes të Ukrainës, citon The Times.

Bomba bërthamore ukrainase do të ndërtohej me bazë plutoniumi me një teknologji të ngjashme me bombën “Little Boy” të hedhur në Nagasaki në vitin 1945, thuhet në raport. “Krijimi i një bombe të thjeshtë atomike, siç bënë Shtetet e Bashkuara në kuadër të Projektit Manhattan, nuk do të ishte një detyrë e vështirë 80 vjet më vonë”, thuhet në dokument.

Duke qenë se nuk disponon uranium të mjaftueshëm, Ukraina do të duhej të mbështetej në vend të kësaj në përdorimin e plutoniumit të nxjerrë nga shufrat e karburantit të marra nga reaktorët bërthamorë të dikurshëm të Ukrainës.

Ukraina ende kontrollon nëntë reaktorë operacionalë dhe ka ekspertizë të rëndësishme bërthamore pavarësisht se ka hequr dorë nga arsenali i tretë më i madh bërthamor në botë në vitin 1996. Raporti thotë se: “Pesha e plutoniumit të reaktorit në dispozicion të Ukrainës mund të vlerësohet në shtatë tonë … Një arsenal i rëndësishëm armësh bërthamore do të kërkojnë shumë më pak material… sasia e materialit është e mjaftueshme për qindra koka luftarake me rendiment taktik prej disa kilotonesh.”

Një bombë e tillë do të kishte rreth një të dhjetën e fuqisë së bombës së hedhur në Nagaski thekson The Times.

“Kjo do të mjaftonte për të shkatërruar një bazë ajrore të tërë ruse ose instalime të përqendruara ushtarake, industriale apo logjistike. Rendimenti i saktë bërthamor do të ishte i paparashikueshëm sepse do të përdorte izotopë të ndryshëm të plutoniumit”, tha autori i raportit, Oleksii Yizhak, kreu i departamentit në Institutin Kombëtar për Studime Strategjike të Ukrainës, një qendër kërkimore qeveritare që vepron si një organ këshillues për zyrën presidenciale dhe Këshillin Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Ukrainës.

Trupat ruse po fitojnë vrull ndërsa përparojnë në rajonin Donbas të Ukrainës lindore dhe Trump është zotuar të shkurtojë ndihmën ushtarake të SHBA nëse Kievi nuk i nënshtrohet bisedimeve të paqes me Putinin. Bryan Lanza, një këshilltar i Trump, ka thënë tashmë se Ukraina do të duhet të dorëzojë Krimenë.