Të paktën 10 persona kanë vdekur dhe të tjerë janë plagosur si pasojë e një zjarri që përfshiu një shtëpi të moshuarish pranë Zaragozas në veri-lindje të Spanjës.

Sipas BBC mësohet se zjarri shpërtheu në qytetin e Villafranca de Ebro herët të premten në mëngjes dhe zyrtarët lokalë thanë se më shumë se 80 njerëz jetonin në shtëpi në atë kohë.

Qendra u hap 16 vjet më parë si një shtëpi të moshuarish, por që atëherë është specializuar në kujdesin për banorët me probleme të shëndetit mendor.

Nuk dihen ende të dhënat dhe moshat e personave që kanë himbur jetën. Ndërsa dy persona të tjerë u dërguan në spital, një prej të cilëve në gjendje kritike për jetën.

Dyshohet se tragjedia mund të jetë shkaktuar nga një dyshek që ka marrë flakë në një nga dhomat e banesës.

Delegati i qeverisë spanjolle në rajonin e Aragón, Fernando Beltrán, shprehu ngushëllimet e tij për viktimat dhe tha se ata do të vazhdojnë të monitorojnë gjendjen e personave që janë në spital dhe hetimin për shkakun e zjarrit.