Banka e Shqipërisë kërkon një rishikim të skemës së pensioneve, pasi përbën problem për financat publike për shkak të plakjes së popullsisë dhe mungesës së krahut aktiv të punës. Kjo u bë e ditur në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave nga përfaqësuesit e Bankës Qendrore.
Luljeta Minxhozi, Zv/Guvernatore e Bankës së Shqipërisë: Kërkojmë rishikim të skemës së pensioneve, përbën rrezik për financat publike. Skema e pensioneve po sfidohet fort nga ndryshimet demografike, plakja e popullsisë dhe emigrimi i krahut të punës. Mbështesim qeverinë në një skemë të re në përputhje me skemat e BE-se. Skemën e pensioneve duhet t’a rishikojmë sepse bëhet rrezik potencial për ritmin e rritjes ekonomike.
Banka e Shqipërisë gjithashtu lidhur me buxhetin e vitit të ardhshëm, nënvizon se duhet të analizohet edhe informaliteti pasi është në parametra të larta, për shkak të mosdeklarimit të pagave.