E pa besueshme, por është e vërtetë. Kim Min-jae po përfundon shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Megjithatë, mbrojtësi i Bayern Munichut nuk ndodhet në vendlindjen e tij, por po ndjek “mësimet” ushtarake on-line, falë një marrëveshjeje speciale me qeverinë e Koresë së Jugut.

Gazeta gjermane Bild raporton se ish-lojtari i Napolit, mund të kryejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak 18-mujor, falë një leje speciale, të cilën duhet ta respektojë dhe që kërkon lidhjen e tij nga një deri në dy orë në javë. Një privilegj që në vendin aziatik ua ofron sportistëve dhe yjeve më të rëndësishëm të sportit dhe kulturës koreane.

Kim e gëzon këtë leje speciale falë sukseseve të tij në fushën sportive. Atij tashmë i është dashur të përfundojë një lloj tërheqjeje, e cila zgjati disa javë, dhe tani do të jetë në gjendje të kryejë orët e fundit të mësimeve ushtrake nga distanca.