Kjo e shtunë e 16 nëntorit, shënoi një ditë të rëndësishme për Kishën Katolike por edhe kombin shqiptar, me shpalljen të lumë të dy martirëve At Luigji Paliq dhe Don Gjon Gazullit që i bashkohen listës prej 38 martirëve shqiptar të shpallur në 2016-ën nga Vatikani.

Meshën për lumnimin e dy martirëve, njëri françeskan dhe tjetri dioqezian e udhëhoqi i deleguari i Papa Françeskut eminenca e tij Prefekti i Dikasterit vatikanas për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Marcello Semeraro.

Arqipeshkëvi i Shkodrës, monsinjor Angelo Massafra në meshën e lumnimit të dy martirëve tha se Luigji Paliq dhe Gjon Gazulli dhanë jetën për fe e atdhe. Një mesazh Massafra dha edhe për luftën në botë. Kardinali shqiptar i Nderit i Vatikanit Ernest Troshani dhe arqipeshkëvi i Kosovës Dodë Gjergji u shprehën se shpallja të lumë e dy martirëve është një nder.

Të pranishëm ishin edhe qindra besimtarë nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Kroacia, drejtues të politikës në Shqipëri dhe përfaqësues të trupave diplomatike të Rajonit. Ndërkohë me qindra besimtarë të tjerë qëndruan në mjediset e jashtme të Katedrales duke ndjekur meshën e shenjtë në këtë moment historik.