Tirana përkujton sot 80-vjetorin e Çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë. Në ceremoninë e nderimit pranë monumentit të Ushtarit të Panjohur morën pjesë një numër i madh personalitetesh, përfaqësues të qeverisë, veteranë të LANÇ-it dhe qytetarë të shumtë.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, theksoi rëndësinë për ta mbrojtur lirinë, teksa sot kryeqyteti jeton ditët e veta më të mira. “80 vjet më pas, Tirana dhe Shqipëria janë më të forta se kurrë! Para dy vitesh Tirana mbajti titullin Kryeqyteti Europian i Rinisë, vjet ishte Qyteti Europian i Sportit, ndërsa vitin tjetër do të jetë Kryeqyteti Mesdhetar i Kulturës dhe Dialogut. Falë atij çlirimi dhe dinjiteti, sot Tirana është më Europiane, më e zhvilluar dhe më e përparuar se kurrë më parë. Sot ne festojmë lirinë, por njëkohësisht reflektojmë për përgjegjësinë tonë si qytetarë, për të mbrojtur dhe zhvilluar këtë trashëgimi të çmuar. Le të jetë kjo ditë një kujtese e përhershme se sakrifica dhe uniteti janë çelësi për një të ardhme më të ndritur”, tha Veliaj.