Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot në Kuvend se edhe pse flitet për rritje ekonomike, të vetmit që nuk e ndiejnë janë shqiptarët.
“A e ndiejnë shqiptarët këtë rritje ekonomike? A përkthehet në ekonomi në sektorët që luajnë rol më të rëndësishëm? Përgjigjja është jo.
Shqipëria ka sot një prodhim të brendshëm bruto siç u tha 2.5 trilionë lekë, 25 miliardë euro dhe kontributi i sektorëve të ekonomisë në këtë rritje është vetëm nga 1, ai i ndërtimit.
Sektori i bujqësisë është 18% e PBB-së, nga viti 2021 është me rënie.
Industria është po ashtu në rënie, 12.4%”, u shpreh Tabaku gjatë diskutimit të projektbuxhetit në Kuvend.
Tabaku tha se në buxhet nuk ka asnjë moment ku të ulet tatimi i punës.
“Unë kam dyshimet e mia në këto shifra që u thanë. Këtu nëse je një sipërmarrës dhe ke një biznes të vogël duhet të paguash TVSH 20 për qind, por nëse ke një biznes të madh ke përjashtim special.
Filozofia e kësaj qeverie është merrja të voglit për t’ia falur të madhit, oligarkëve.
Askush nuk mban përgjegjësi për atë që i ka shkaktuar vendit, është krijuar një situatë e paprecedentë me buxhetin”, tha ajo.
Sipas saj, çmimet në Shqipëri janë më të larta në krahasim me rajonin.
“Dëgjuam për rritjen ekonomike, po a e ndjejnë shqiptarët këtë rritje ekonomike, a ndjejnë pensionistët këtë rritje, a e ndjejnë bujqit.
Sektori i bujqësisë është sot 18 për qind e produktit të brendshëm bruto dhe nga vitit 2021 është me rënie. Çmimet në Shqipëri janë më të larta në krahasim me rajonin.
Bujqësia dhe turizmi nuk po reflekton, bujqësia ka shumë të punësuar dhe në vendet e tjera ky sektor performon më shumë”, tha ajo.
Sipas Tabakut, “arka e buxhetit nuk mbledh dot më shumë se 27% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”.
“Skema e taksimit socialist promovuar në 12 buxhetet socialiste ka qenë arsyeja kryesore që është krijuar informalitet, pasi bizneset gjejnë rrugëzgjidhje se si të shmangen nga taksat”, u shpreh ajo.