Presidenti i Republikës, Bajram Begaj do të vijojë ditën e sotme konsultimet për datën e zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen pranverën e vitit të ardhshëm.

Mësohet se sot kreu i Shtetit do të presë në Presidencë përfaqësuesit e dy partive kryesore, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.

Në orën 10:30 është planifikuar që të takohet me përfaqësuesit e PD-së, më konkretisht me sekretarin e Përgjithshëm, Flamur Nokën dhe kreun e grupit parlamentar Gazment Bardhin.

Ky i fundit pak ditë më parë akuzoi se konsultimet janë farsë, pasi sipas tij, Bajram Begaj e ka caktuar datën e zgjedhjeve me kryeministrin Edi Ramën dhe Taulant Ballën.

Gjithsesi, pavarësisht reagimit publik të selisë blu, se do të refuzojë konsultimet me kreun e shtetit, Begaj nuk e ka anuluar agjendën, për t’i pritur 2dy përfaqësuesit e PD-së, që i ka dërguar edhe ftesë.

Ndërsa në orën 11:30 është planifikuar që Bajram Begaj të takohet me përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe më pas ngelet për të takuar vetëm Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Calibashin për të përmbyllur konsultimet dhe për të caktuar më pas datën e zgjedhjeve.

Javen e kaluar Begaj është konsultuar edhe me kryetarë dhe faktorë politikë të tjerë, përfshi edhe atë të PD-Demokratët Atlantikë, Lulzim Basha.