Warren Buffett, njeriu i gjashtë më i pasur në botë sipas Forbes, ka zbuluar në detaje planin se ç’do të ndodhë me pasurinë e tij pas vdekjes e ndërkohë ka njoftuar se do të vazhdojë të dhurojë prej saj.

Në një letër drejtuar aksionerëve, investitori i famshëm që tashmë është 94 vjeç, reflekton mbi natyrshmërinë e vdekjes duke treguar se dikur shpresonte që bashkëshortja e tij e ndjerë (e para) do të jetonte më gjatë se ai dhe do të vendoste si ta shpërndante pasurinë e tyre.

“Babai kohë fiton gjithnjë. Por mund të jetë i ndryshueshëm, ndonjëherë i padrejtë e madje mizor, ndonjëherë duke i dhënë fund jetës në lindje ose shpejt pas saj, e herë të tjera pret thuajse një shekull para se të të vizitojë. Deri më sot, unë kam qenë shumë me fat, por ai do të mbërrijë tek unë”.

Në letrën e gjatë, Buffett shkruan se shpreson që tre fëmijët e tij, Susie, Howard dhe Peter të cilët janë rreth moshave 60-70 vjeç, do të jetojnë mjaftueshëm sa për të vendosur se për cilat kauza filantropike do të shkojë pasuria e babait të tyre. Kur Buffett të ndërrojë jetë, ata do të kenë si detyrë që të vendosin unanimisht si ta dhurojnë pasurinë e tij.

Por në rast se fëmijët e tij s’do të jenë të aftë të vendosin mbi fatin e pasurisë së tij, do të jenë tri njerëz të besuar, emrat e të cilëve nuk janë zbuluar në letër.

Gjithashtu, një pjesë e aksioneve të kompanisë së tij do të kthehen në miliona aksione të një klasi më të ulët. 1.5 milionë do të shkojnë për Susan Thompson Buffett Foundation që mban emrin e gruas së tij të ndjerë dhe 300.000 për tre fondacione të drejtuara nga fëmijët e tij që së bashku arrijnë vlerën 1.2 miliardë dollarë.

Donacionet u shtohen dhuratave vjetore për 4 fondacionet e familjes si dhe atij të Bill & Melinda Gates. Që prej vitit 2006, Buffett është zotuar se do të dhurojë vazhdimisht pasurinë e tij që sipas Bloomberg arrin në 150 miliardë dollarë. Ai ka thënë se pjesa tjetër do të dhurohet pas vdekjes së tij.

Buffet ka dhënë edhe këshilla për prindërit që kanë pasuri të mëdha. “Kur fëmijët tuaj të jenë të rritur, lërini ta lexojnë testamentin tuaj para se ta firmosni. Sigurohuni që secili prej tyre kupton logjikën e vendimeve tuaja dhe përgjegjësitë me të cilat do të përballen pas vdekjes tuaj”.