Crvena Zvezda pret nesër (e mërkurë) Stuttgartin në ndeshjen e javës së pestë të Ligës së Kampionëve, ndërsa me skuadrën gjermane, në Beograd, do të arrijnë edhe tifozët e klubit nga Bundesliga. Portali gjerman Swr, nuk ka pasur shumë fjalë lavdëruese për kryeqytetin serb, ndaj kanë dërguar një paralajmërim për tifozët e tyre. “Atmosfera në Beograd është e ndezur dhe ultrasit e Zvezdës janë të njohur për sjelljen e tyre të dhunshme. Edhe tuneli për lojtarët në stadium duket më shumë si një bunker lufte sesa një tunel stadiumi. Ndryshe nga vizitat në Madrid apo Torino, ndoshta nuk do të ketë mbledhje të mëdha të tifozëve në Beograd në sheshet ku dikush do të festonte apo brohoriste duke theksuar publikisht përkatësinë e klubit, duke kënduar këngë dhe duke ecur me zë të lartë në rrugë”, shkruan fillimisht portali gjerman.
Ata po ashtu u kanë kujtuar lexuesve se Serbia nuk është në Bashkimin Evropian dhe se për të shkuar në Beograd do t’ju duhet pasaporta, ndërsa ka këshilla të veçanta për ata që do të shkojnë në ndeshje me makinë.“Parkoni vetëm afër hotelit sepse Crvena Zvezda nuk rekomandon parkimin afër stadiumit. Taksitë duhet të porositen ekskluzivisht nga hotelet ose restorantet sepse tentativat për mashtrim kur ndaloni në rrugë janë një dukuri e zakonshme në Beograd. Droga dhe pastrimi i parave nuk janë të rralla në Beograd”.“Një metropol me pothuajse 1,5 milionë banorë, qyteti në Danub njihet si kryeqyteti i argëtimit, por uji nga shatërvani nuk është i përshtatshëm për t’u pirë, nuk ka sistem të trajtimit të ujërave të zeza të Beogradit, në lumenjtë Sava dhe Danubi”, thonë gjermanët.Kujtojmë se ndeshja mes Crvena Zvezdës dhe Stuttgartit do të luhet nesër në Beograd duke filluar nga ora 18:45.