Pas rrëzimit të ligjit për tatimet e profesionistëve të lirë nga ana e Gjykatës Kushtetuese, Këshilli i Ministrave miratoi sot aktin normativ për kthimin e këstit të tatimfitimit të paguar nga këta të fundit.
Në fjalën e tij pas mbledhjes së qeverisë, ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi se fondi i vënë në dispozicion për kthimin e këstit të tatimfitimit nga profesionistët e lirë është 501 milionë lekë.
Malaj bëri të ditur se nga ky akt normativ përfitojnë 6 450 tatimpagues. Njëkohësisht ai vuri në dukje se janë shuar dhe detyrimet e vendosura gjatë kohës që ligji ishte në fuqi.
Procesi i rimbursimit të fondeve, tha ai, do të përfundojë brenda 31 dhjetorit të këtij viti.
“Ndoqëm rrugën ligjore duke iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar dhe për të na udhëzuar se çfarë duhet të bënim me efektet që prodhoi ky ligj nga momenti kur hyri në fuqi, deri në momentin që u shfuqizua. Gjykata Kushtetuese nuk u shpreh për këtë, duke na lënë të nënkuptohej që efektet e prodhuara nga ky ligj ishin legjitime”, – deklaroi ministri.
Malaj tha se qeveria pati vullnetin për kthimin e këtij tatimi te tatimpaguesit e profesioneve të lira.
I pyetur nëse qeveria do të hartojë një skemë të re për tatimin e profesionistëve të lirë, ministri Malaj bëri të ditur se qeveria shqiptare do të bëjë një vlerësim të të gjithë përjashtimeve apo normave të reduktuara tatimore në fuqi, për të vendosur nëse do të rishikohen ato apo do të mbeten në të njëjtin nivel.