Me rastin e përfundimit të stërvitjes së përbashkët 5-ditore midis repartit special të policisë RENEA dhe repartit special të policisë gjermane GSG9, në Tiranë është zhvilluar ceremonia e rastit. Kjo stërvitje kishte si qëllim rritjen e aftësive taktike operacionale të efektivëve të RENEA-s. 

Stërvitja e efektivëve të forcave elitë të policisë shqiptare dhe asaj gjermane, u zhvillua për 5 ditë radhazi, për zgjidhjen e një situate pengmarrjeje, ndërkohë që veprimet improvizuese u kryen në aeroportin “Nënë Tereza”.     

Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Repartit Special RENEA, morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, Komandanti i Repartit Special RENEA, Altin Dardha, Komandanti i Repartit Special GSG9 Kolonel Robert Hemmerling dhe Ambasadori i Gjermanisë Karlfried Bergner. 

Gjatë fjalës në këtë ceremoni, Drejtori i Përgjithshëm Proda ka vlerësuar bashkëpunimin me partnerët gjermanë dhe ka theksuar se kjo stërvitje do t’i shërbejë shumë efektivëve të RENEA-s, për rritjen e kapaciteteve të tyre profesionale, të cilat do t’i përdorin në zgjidhjen e situatave të vështira në të ardhmen. Ai ka falënderuar qeverinë gjermane dhe kolegët e Policisë gjermane, për mbështetjen e pakursyer dhe ka siguruar se Policia e Shtetit është një partnere serioze, profesionale dhe e besueshme për të zhvilluar bashkërisht me partnerët gjermanë, hetime dhe veprime operacionale në luftën e pandërprerë kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve të paligjshme.    

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri Karlfried Bergner vlerësoi mikpritjen dhe stërvitjen e përbashkët dhe theksoi se tashmë ndihet më i sigurtë në Shqipëri.

Komandanti i Repartit Special RENEA Altin Dardha dhe Komandanti i Repartit Special GSG9 Kolonel Robert Hemmerling vlerësuan stërvitjen e efektivëve të dy forcave elitë, e cila është një dëshmi e bashkëpunimit dhe besimit të ndërsjellë mes policive të dy vendeve.