Ekspertë të ndryshëm hedhin dyshimet se tre njoftime të kësaj jave, në dukje pa asnjë lidhje me njëra-tjetrën, mund të fshehin në fakt diçka më shumë.
Avioni postar gjerman i rrëzuar në Litani, dy kabllo komunikimi u dëmtuan në Detin Baltik; në Rumani, një ekstremist pro-rus i krahut të djathtë arrin çuditërisht deri në balotazhin e zgjedhjeve për presidencën: Edhe pse asgjë nuk është vërtetuar ende, disa politikanë perëndimorë dhe shërbime sekrete dyshojnë se pas të gjitha këtyre ngjarjeve fshihet e njëjta forcë shtytëse: Rusia.
Rreziqet që vijnë nga e ashtuquajtura “luftë hibride” me origjinë tek Kremlini nuk janë të reja; Por ekspertët paralajmërojnë se ato janë rritur në mënyrë kërcënuese që kur Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022. “Lufta hibride” është zgjerimi i operacionit të pastër luftarak me mjete të shtuara të spiunazhit, sabotimit, sulmeve kibernetike, ndërhyrjeve në zgjedhje, propagandës ose fushatave dezinformuese me qëllim dobësimin dhe destabilizimin e armikut nga brenda.
Rusia, paralajmërojnë analistët, ka zgjeruar vazhdimisht arsenalin e saj të aftësive të luftës hibride në vitet e fundit. Që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, shtetet evropiane kanë dëbuar rreth 500 diplomatë rusë. Shërbimi sekret britanik MI5 klasifikon të paktën 400 prej tyre si spiunë. Zyra Federale për Sigurinë e Informacionit në Gjermani paralajmëron se situata kërcënuese në hapësirën kibernetike është “më e lartë se kurrë” dhe se spiunazhi dhe sabotazhi lulëzojnë në internet.
Në fillim të vitit 2024, Ministria e Jashtme zbuloi 50,000 llogari të rreme të përdoruesve që përhapnin raportime të rreme dhe opinione pro-ruse në rrjetet sociale dhe më pas të lidhnin me faqe interneti të rreme, disa prej të cilave ishin shumë të ngjashme me ato të mediave të njohura të lajmeve.