Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Sektorin për Operacionet Speciale dhe Kërkimin si dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, finalizoi operacionin e koduar “Bad Spin 5”.

Ky operacion kishte në fokus goditjen e aktiviteteve të paligjshme të organizimit të basteve sportive online në disa zona të Tiranës.

Bazuar në inteligjencën policore, u identifikuan disa subjekte dhe individë që kishin përshtatur ambiente për organizimin e këtyre lojërave të fatit të palejuara. Pas një serie kontrollesh të kryera në këto subjekte, u arrestuan në flagrancë 6 shtetas të dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari të paligjshme: D. F., E. B., L.Q., A. D., A. D., F. C.

Të gjithë të arrestuarit janë banues në Tiranë. Përveç tyre, në gjendje të lirë u proceduan një 17-vjeçar dhe shtetasi E. T.

Gjatë operacionit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6 aparate celulare dhe një njësi kompjuterike, të cilat dyshohet se përdoreshin për organizimin e basteve sportive online.

Materialet hetimore janë referuar në Prokurorinë për veprime të mëtejshme, ndërsa policia vijon hetimet për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.