Nga Osman Metalla
Ndërkohë që ndërtimi i kompleksit rezidencial “Marina Durrës”, një projekt me një vlerë të pretenduar prej rreth 2.1 miliardë euro, po ecën me ritme të shpejta, dhe ndertimet kane arritur deri pranë hyrjes nr. 4 të Portit të Durrësit, duke kufizuar qarkullimin e mjeteve të rënda në vetëm tre korsi (dy në hyrje dhe një në dalje), një tjetër realitet po bëhet gjithnjë e më i dukshëm: rada e Portit të Durrësit po mbushet çdo ditë me anije që presin me orë e ditë për të hyrë në port.
Kjo nuk është pasojë e një rritjeje të jashtëzakonshme të volumit të mallrave. Përkundrazi. Është tregues i qartë se kapacitetet përpunuese të portit janë dobësuar ndjeshëm.
Vonesat e anijeve kontejnerike tashmë janë bërë të zakonshme. Çdo ditë pritjeje përkthehet në kosto shtesë për kompanitë detare, për importuesit dhe eksportuesit shqiptarë, si edhe në humbje të besueshmërisë së Portit të Durrësit në sytë e operatorëve ndërkombëtarë. Nëse kjo situatë vazhdon, nuk është e pamundur që linjat e mëdha detare të fillojnë të rishikojnë marrëdhëniet e tyre me portin tonë.
Ndërkohë, në një postim të datës 24.06.2026, Autoriteti Portual i Durrësit njofton se: “Gjatë tre javëve të fundit janë evaduar 6,000 kontejnerë, ose rreth 300 kontejnerë në ditë.”
Nëse ky ritëm merret si mesatare vjetore, rezulton një kapacitet prej rreth 109,500 kontejnerësh në vit, afërsisht 50% e volumit të përpunuar gjatë vitit 2025. Ky është një tregues që ngre pikëpyetje serioze mbi kapacitetin aktual të terminalit për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut.
Arsyet janë të njohura: vonesa në ndërtimin e portit të ri, mungesa e investimeve në mirëmbajtjen dhe rinovimin e pajisjeve kryesore të terminalit të kontejnerëve, si Mobile Harbour Cranes (MHC) dhe Reach Stackers, si dhe kufizimet operative të krijuara nga zhvillimet ndërtimore në zonën portuale.
Si pasojë, është rritur ndjeshëm koha që një anije shpenzon nga mbërritja deri në përfundimin e operacioneve portuale (time in port), duke përkeqësuar treguesit e performancës së terminalit jo vetëm për kontejnerët, por edhe për terminalet e ngarkesave të përgjithshme.
Porti i Durrësit nuk është thjesht një port. Ai është arteria kryesore e ekonomisë shqiptare. Çdo ditë vonesë, çdo ulje e produktivitetit dhe çdo mungesë investimi nuk dëmton vetëm operatorët portualë; dëmton konkurrueshmërinë e gjithë ekonomisë shqiptare.
O. M 25.06.2026





