Forcat opozitare sirianë kanë hyrë në Alepo, qytetin e dytë më të madh të Sirisë, pasi shpërthyen dy makina-bombë më 29 nëntor dhe u përleshën me forcat qeveritare në perëndim të qytetit, tha monitoruesi i luftës në Siri. Kjo është hera e parë që qyteti është sulmuar nga forcat opozitare që nga viti 2016, kur ata u dëbuan nga lagjet lindore të Alepos, pas një fushate ushtarake kur forcat qeveritare siriane u mbështetën nga Rusia, Irani dhe grupet aleate.
Mijëra forca opozitare kanë përparuar drejt qytetit të Alepos që nga ofensiva befasuese që nisën të mërkurën. Ata kanë marr nën kontroll disa qyteza dhe fshatra. Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, që monitoron luftën në Siri, tha se forcat opozitare kanë shpërthyer dy makina-bombë në cepin perëndimor të qytetit të premten. Një komandant i kryengritësve opozitarë ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale duke u bërë thirrje banorëve të qytetit që të bashkëpunojnë, teksa forcat po avancojnë.
Agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, Anadolu, ka raportuar se kryengritësit opozitarë kanë hyrë në qendër të Alepos të premten. Media shtetërore siriane më herët gjatë së premtes raportoi se predha të lëshuara nga kryengritësit ranë në konviktin studentor të universitetit të Alepos, i cili gjendet në qendër të qytetit, duke vrarë katër persona, përfshirë dy studentë. Transporti publik në qytet po ashtu është prekur si pasojë e luftimeve. Banorët e Alepos kanë raportuar se kanë dëgjuar sulme me raketa në periferi të qytetit.
Luftëtarët po ashtu kanë përparuar në qytezën Sarakab, në provincën veriperëndimore të Idlibit. Avancimet e kësaj jave janë më të mëdha të realizuara nga fraksionet opozitare, të udhëhequra nga Hayat Tahrir al-Sham, apo HTS. Këto janë luftimet më intensive në veriperëndim të Sirisë që nga viti 2020, kur forcat qeveritare morën nën kontroll zonat që më herët ishin nën kontrollin e forcave opozitare.
Forcat e armatosura të Sirisë thanë se kryengritësit kanë shkelur marrëveshjen e vitit 2019 për reduktimin e luftimeve në këtë zonë, që ka qenë bastioni i fundit i opozitës për vite të tëra. Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut tha se që nga e mërkura, në të dyja anët ka luftëtarë të vrarë. Kryengritësit kanë marrë nën kontroll mbi 50 fshatra në total.