Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka emëruar si këshilltar special për çështjet arabe dhe të Lindjes së Mesme, biznesmenin e njohur amerikano-libanez, Mashad Boulos, njëkohësisht dhe vjehrri i vajzës së tij, Tiffany.

Trump e bëri njoftimin në rrjetin e tij social Truth Social, duke thënë se Boulos është shumë i respektuar në botën e biznesit, me përvojë të gjerë në skenën ndërkombëtare.

“Ai është një mbështetës prej kohësh i vlerave republikane dhe konservatore, një pasuri për fushatën time dhe instrument në ndërtimin e aleancave të reja me Komunitetin Arabo-Amerikan”, tha Trump.

“Massad është një negociator dhe një mbështetës i palëkundur i paqes në Lindjen e Mesme”, deklaron ai.

Boulos, vjehrri i vajzës së Trump, Tiffany, zhvilloi takime radhazi me liderët arabo-amerikanë dhe myslimanë gjatë fushatës së presidentit republikan.

Ai ka të ngjarë të punojë me Steve Witkoff, të cilin Trump e emëroi muajin e kaluar si të dërguarin e tij special për Lindjen e Mesme.

Sipas mediave të huaja, është hera e dytë në ditët e fundit që Trump ka zgjedhur vjehrrin e një prej fëmijëve të tij për të shërbyer në administratën e tij.

Të shtunën, Trump njoftoi se kishte zgjedhur babanë e dhëndrit të tij Jared Kushner, manjatit të pasurive të paluajtshme Charles Kushner, për të shërbyer si ambasador i SHBA në Francë.