Presidneti i Serbisë Aleksandër Vuçiç ka deklaruar gjatë ditës së sotme se nëse autorët e shpërthimit të kanalit ujor në Zubin Potok janë serbë, atëherë ata do të arrestohen menjëherë. Për këtë shpërthim kryeministri Albin Kurti ka drejtuar gishtin nga Serbia.
Vuçiç tha gjithashtu sot për gazetarët në Beograd se Serbia është e gatshme të bashkëpunojë në kryerjen e një hetimi me të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe institucionet sa i përket shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në Zubin Potok të Kosovës.
“Nëse [shpërthimi] është kryer nga ndokush që është i kombësisë serbe dhe ai është në territorin nën të cilin ka kontroll efektiv Serbia, ai do të ndalohet dhe arrestohet në sekondë. Deri më tani, nuk kemi informacione të tilla”, – tha Vuçiç për gazetarët në Beograd.
Vuçiç tha se më pak e rëndësishmja është se kush është autori dhe më e rëndësishmja është se kush qëndron pas shpërthimit, duke hedhur poshtë mundësinë që prapa kësaj të jetë Rusia. Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, komunë me shumicë serbe në veri të vendit.