Kina ka vendosur sanksione kundër 13 firmave ushtarake amerikane të enjten, si përgjigje ndaj vendimit të Shteteve të Bashkuara për t’i shitur armë Tajvanit, tha Ministria e Jashtme e Kinës.
Kina e ka kundërshtuar fuqishëm vendimin e SHBA-së për ta autorizuar shitjen e mundshme të pjesëve shtesë në vlerë 385 milionë dollarë dhe mbështetjen për aeroplanët luftarakë F-16 dhe radarët të Tajvanit.
Kjo, sipas Pekinit, e minon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kinës. SHBA-ja, si shumica e vendeve të botës, nuk ka marrëdhënie zyrtare diplomatike me Tajvanin, por është mbështetësi më i rëndësishëm ndërkombëtar i Tajvanit dhe e furnizon atë me armë, gjë që e zemëron Pekinin.
Tajvani dhe Kina u ndanë në vitin 1949, pas një lufte civile e cila mbaroi me Partinë Komuniste në pushtet në Kinë.
Ishulli i vetëqeverisur nuk ka qenë asnjëherë pesë e Republikës së Popullit të Kinës, por Pekini e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur që duhet ta rimarrë qoftë edhe me forcë.
Kompanitë e sanksionuara janë Teledyne Brown Engineering Inc, BRINC Drones Inc dhe Shield AI Inc, tha Ministria e Jashtme të enjten.
Kompani të tjera që përballen me sanksione janë Rapid Flight LLC, Red Six Solutions, SYNEXXUS Inc, Firestorm Labs Inc, Kratos Unmanned Aerial Systems Inc, HavocAI, Neros Technologies, Cyberlux Corporation, Domo Tactical Communications dhe Group Ë.
Për më tepër, Kina do t’i ngrijë asetet e gjashtë ekzekutivëve nga pesë kompani, përfshirë Raythen, BAE Systems dhe United Technologies në Kinë, dhe do t’ua ndalojë hyrjen në vend atyre. Organizatat dhe individët nga Kina e kanë të ndaluar të bëjnë biznes me to.