Propozimi për një një ligj të ri nga ana e socialistëve ka ngjallur debat të fortë në sallën e Kuvendit. Deputeti i PD-së Bledion Nallbati deklaroi nga vendi se mazhoranca s’mund të tallet me opozitën duke miratuar “ligje që vijnë me SMS dhe pa u shqyrtuar”.

“Moj zonjë, tani u duk ashiqare se ato fletët e bardha paçavure ishin me firma dhe nuk kishte asnjë projekt-ligj dhe ju nuk mund të talleni. T’ju sjellin ligje me SMS dhe ju të na i thoni në moment të fundit. I votojmë para e pastaj i shqyrtojmë!”, tha Nallbati.

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali i ndërpreu fjalën duke i thënë se ai projekt-vendim do diskutohet nëpër komisione.

Për deputetin demokrat, është hipokrizi që ky projekt-ligj të vijë 12 vite pasi janë “masakruar qytetarët e thjeshtë me ndërtime të thjeshta në banesat e tyre”.

“Me këtë dhembshurinë e faljes së gjobave na këputët shpirtin me thënë të drejtën, ju që keni 12 vjet që masakroni njerëzit dhe arrestoni hallexhinj që ndërrojnë çatinë e që ndërrojnë një dritare. Tani u kujtuat, vutë dorën në zemër e u bëtë të dhembshur. Ky është një turp i madh dhe nuk ka rob që e ha. Na jepni një mjekim se nuk na mban zemra me këto…Ne patjetër jemi kundër kësaj, kemi 12 vjet që ulërasim për këtë. Turp që i bëni se nuk i beson njeri këto!”, deklaroi Nallbati.