Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka përfunduar hetimet dhe dërgoi në gjyq shoqërinë ‘E….’ shpk dhe administratorin e saj, shtetasin A.K., për veprën penale ‘Mospagimi i taksave dhe tatimeve’, parashikuar nga neni 181 i Kodit Penal.
Prokuroria thote se nga hetimet eshte provuar se kjo shoqëri ushtron veprimtarinë e saj tregtare me objekt të veprimtarisë ndër të tjera “Projektimi dhe zbatime të ndërtimit të banesave shumekatëshe, veprave rrugore dhe infrastukturore, ndertime civile e industriale, etj”.
Gjatë ushtrimit të veprimtarisë ndaj shoqërisë kanë lindur detyrime tatimore të cilat nuk janë paguar me një vlerë totale prej 8,884,799 lekësh.
“Hetimet provuan se megjithëse ndaj këtij subjekti ishte evidentuar një detyrim tatimor, ishin marrë masat administrative në funksion të mbledhjes së detyrimit, nga ana e administratorit të shoqërisë nuk u shlye. Nga ana e prokurorisë u dokumentua fakti se, subjekti ka qënë në kushtet e aftësisë paguese pasi, në llogarinë e subjektit janë transferuar, derdhur, terhequr cash, shuma të konsiderueshme monetare, gjatë kohës që detyrimi ka ekzistuar. Po kështu, u dokumentua fakti se gjatë kësaj periudhe, administratori i shoqërisë, jo vetëm që nuk ka marrë masat e duhuara për shlyerjen e detyrimeve, por, se nga ana e tij janë kryer veprime aktive duke tërhequr cash nga llogaria bankare e shoqërisë vlera monetare, menjëherë sapo shumat derdheshin në llogari”, thuhet ne njoftim.
Në përfundim të hetimeve mbështetur në ligjin nr.9754, datë 14.6.2007, “Për përgjegjësinë penale të personave juridik”, si dhe nenit 181 të Kodit Penal, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka dërguar për gjykim procedimin penal nr.176 vitit 2020, në ngarkim të pandehurve shoqëria “E…” Sh.p.k., dhe administratorin e saj shtetasin A.K. me akuzën për kryerjen e veprës penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” parashikuar nga neni 181 i Kodit Penal.