Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, priti në Tiranë në një takim pune ministrin e Ekonomisë së Hungarisë, Márton Nagy.

Denaj tha se, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Hungarisë zhvilloi një takim produktiv me ministrin Nagy.

Diskutimet u përqendruan në mundësitë për të forcuar lidhjet ekonomike mes dy vendeve dhe për të nxitur zhvillimin e sektorit agro një sektor kyç për ekonominë shqiptare me potencial të madh për rritje dhe përmirësim.

Ministrja theksoi se, gjatë takimit u trajtua rëndësia e investimeve të reja në këtë sektor për të krijuar ekonomi shkalle, për të rritur cilësinë dhe standardet e produkteve shqiptare.

“Zgjerimi i mbështetjes për produktet shqiptare, për rritjen e konkurrencës në tregun lokal dhe ndërkombëtar, duke përmirësuar aksesin në financë, mbetet vendimtar për të lehtësuar dhe rritur investimet në këtë sektor”, u shpreh Denaj.