Pas një ecurie perfekte në Superligë, me të gjitha ndeshjet të fituara, Besëlidhja e ka filluar në mënyrën më të mirë edhe Ligën Unike. Lezhjanët mundën Teutën me rezultatin 89-67 në pallatin e sportit “Asllan Rusi, sfidë e vlefshme për Grupin A. Minutat e para ishin interesante, me Teutën që e filloi më mirë. Kristi Gorea hapi serinë e koshave me një gjuajtje të saktë për 3 pikë, me durrsakët që u shkëputën në +7 pikë në 2 minutat e para, duke kryesuar 4-11. Por Besëlidhja rikuperoi shpejt, për ta fituar periodën e parë 27-21. Edhe çereku i dytë ishte me ritëm të mirë, ku sërish lezhjanët u treguan më të saktë, për ta marrë atë 27-19, duke shkuar në pushimin e madh me avantazhin 54-40 në shifra të përgjithshme.

Edhe me rikthimin në parket për periodën e tretë është skuadre veriore ajo që e dikton lojën, duke e marrë çerekun 19-11, për ta thelluar epërsinë në 73- 51 pas 30 minutash lojë. Këtu duken edhe llogaritë të mbyllura, me periodën e fundit që luhet më shumë për statistikë, fraksion që mbyllet në barazim 16-16, ndërsa e gjithë sfida shkon me +22 pikë për Besëlidhjen. Duke kaluar në statistikat individuale, ekipi lezhjan tregoi edhe një herë fuqinë e madhe që ka nga pankina, me lojtarët e stolit që shënuan madje më shumë pikë (45) sesa formacioni titullar (44). Grazhdani me 12 pikë, 6 kërcime dhe 1 asistim si dhe Hamati me 9 pikë, 7 kërcime dhe 2 asistime ishin lojtarët më efikasitetin më të lartë për Besëlidhjen.

Në radhët e Teutës u dallua amerikani Morton, autor i 19 pikëve, 6 kërcimeve dhe 5 asistime. Kjo ishte ndeshja e dytë e këtij sezoni në Ligën Unike, pasi aktiviteti mbarëkombëtar u hap të mërkurën me sfidën e Grupit B, Tirana-Vllaznia, takim ku triumfuan bardheblutë me rezultatin 88-81. Ky edicion ka nisur në mënyrë të çuditshme, duke filluar me ndeshjet e javës së dytë, pa u luajtur ende java e parë. Kjo për shkak se ekipeve të Kosovës do t’u njihen rezultatet në kampionatin vendës edhe për Ligën Unike, ndërsa diçka e tillë nuk do të vlejë për skuadrat e Shqipërisë.