Bota e basketbollit dhe sportit amerikan është në zi pas ndarjes nga jeta të Jason Collins, një prej figurave më simbolike të ndryshimit kulturor në sport. Ai humbi jetën pas një forme agresive të kancerit të trurit që prek qelizat e sistemit nervor.
Collins e kishte bërë publike diagnozën vitin e kaluar, duke treguar se sëmundja po i vështirësonte përqendrimin dhe jetën e përditshme.
Mjekët i kishin komunikuar se pa trajtim, jetëgjatësia mund të ishte vetëm disa muaj, ndërsa ai u përball me trajtime intensive, përfshirë medikamentin Avastin dhe terapi të specializuara jashtë SHBA-së.
Në karrierën e tij sportive, ai luajti 13 sezone në NBA (EN BI EJ), duke veshur fanellat e gjashtë skuadrave. Ai u diplomua dhe nisi rrugën e basketbollit në Stanford University, ku u dallua për aftësitë dhe inteligjencën në lojë.
Emri i tij hyri në histori në vitin 2013, kur u bë lojtari i parë aktiv në një nga katër ligat kryesore sportive amerikane që deklaroi hapur se është homoseksual. Ky vendim, në një kohë kur debatet për të drejtat LGBTQ+ ishin ende të forta, u konsiderua një hap i madh për përfshirjen dhe barazinë në sport.
Komisioneri i NBA-së Adam Silver e përshkroi Collins si një figurë që ndikoi përtej parketit, duke ndihmuar në krijimin e një mjedisi më të hapur dhe më njerëzor në sport.
Në vitet e fundit, Collins kishte theksuar se të jetuarit hapur dhe me autenticitet ishte “periudha më e mirë e jetës së tij”, duke e lidhur betejën me sëmundjen me guximin që kishte treguar kur doli publikisht në 2013.





